Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti pati sot një takim pune me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), Naser Ramadani dhe U.D drejtorin e përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi.
Në këtë takim u diskutua për gjendjen e përgjithshme epidemioligjike në vend, me theks të veçantë në menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID 19.
Duke vlerësuar punën e stafit shëndetësor të vendit, gjatë këtyre muajve të rëndë të pandemisë COVID 19, kryeministri Hoti vuri në pah sfidën e rifillimit të vitit të ri shkollor, ndaj kërkoi që në të gjitha institucionet shkollore të ndërmerren veprimet e nevojshme për respektimin e masave dhe protokollove të caktuara nga ekspertët e shëndetësisë.
Kryeministri Hoti, po ashtu, kërkoi që institucionet e shëndetit publik dhe departamentet komunale të shëndetësisë t’i bëjnë përgatitjet e duhura, në mënyrë që të kryhet me kohë edhe vaksinimi i qytetarëve ndaj gripit sezonal, si një masë mbrojtëse parandaluese ndaj përhapjes së pandemisë COVID 19.