Kryetari i Komunës së Deçanit, Blerim Ramosaj ka thënë të hënën se shteti duhet t’i zgjidhë, ato që i ka konsideruar fatkeqësi të krijuara në komunën që ai drejton, teksa ka publikuar disa fotografi ku shihen duke u kryer punime në rrugën Deçan-Plavë.
“Kur pezullohen veprime është mirë të jipen zgjidhjet e duhura z. Kryeministër”, ka thënë Ramosaj në një postim në rrjetin social, Facebook, duke iu referuar kërkesës së kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, për të pezulluar punimet në rrugën Deçan-Plavë, që prek zonën e Manastirit të Deçanit.
Përmes një njoftimi, qeveria ka thënë të dielën se “kryeministri Hoti e vlerëson rëndësinë jetike që ka kjo rrugë për qytetarët e kësaj ane dhe përtej saj, megjithatë duhet respektuar legjislacioni në fuqi i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.
Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Përveç kryeministrit Hoti, lidhet me punimet në këtë rrugë ka reaguar gjatë fundjavës edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka thënë se Beogradi do të kërkojë “pezullim urgjent dhe të përhershëm të punimeve të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit” nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe ndërmjetësuesit evropianë në takimin e ardhshëm në Bruksel.
Të shtunën në këtë komunë ka qëndruar komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, Michele Risi.
Ai ka zhvilluar takime me kryetarin Ramosaj dhe peshkopin Sava Janjiq në Manastirin e Deçanit.