Nëntë persona kanë vdekur nga koronavirusi gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar totalin e vdekjeve në 390.
Derisa 145 raste kanë rezultuar si pozitive nga 451 mostrat e marra të IKSHPK-së.
Të shëruar gjatë së shtunës janë raportuar 144 persona nga ky virus.
Sipas njoftimit nga Instituti, më së shumti raste të prekura me COVID-19 ka Prishtina, me gjithsej 45 raste, e pasuar nga Peja me 10, derisa në komunat e tjera janë regjistruar raste njëshifrore.
Ndërsa në QKUK dhe nëpër spitalet rajonale po trajtohen 565 pacientë, prej tyre 432 të konfirmuar me COVID-19.
Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se 369 pacientë po trajtohen me oksigjenoterapi, ndërsa 14 në respirator.
Që nga fillimi i pandemisë pacientët janë trajtuar edhe në Klinikën Emergjente, megjithatë drejtori i saj, Basri Lenjani, tha se në këtë klinikë nuk ka hapësirë të mjaftueshme, raporton KTV.
Lenjani tutje shtoi se emergjenca ka rritur edhe ambulancat për raste speciale për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.
E, sipas psikiatrit Sami Rexhepi, problemi më i madh i pacientëve mbetet ankthi i shtuar si pasojë e frikës.
Ndërsa, disa prej atyre që e kanë kaluar këtë virus ai thotë se janë të traumatizuar dhe se i duhet kushtuar rëndësi shëndetit të tyre mendor.
Numri total i rasteve pozitive është mbi 11 mijë, ndërsa raste aktive janë 4 mijë.