Kosova planifikon të pajiset me 380 mijë vaksina sezonale

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës planifikon të pajisjet me 380 mijë vaksina sezonale, është kuptuar përmes hapjes së tenderit për furnizim me vaksina katërvalente të gripit.

Sipas përshkrimit në dosjen e tenderit, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar 376500 doza të vaksinës kundër gripit – për të rriturit, dhe 3000 doza të vaksinës kundër gripit sezonal – për fëmijët.

Vlera e parashikuar e tenderit është mbi 3.1 milionë me një vaksinë që në këtë rast do të kushtonte deri rreth 8.3 euro. Tenderi do të jetë i hapur deri më 24 gusht.

Ndër tjerash në përshkrim theksohet se afati është shkurtuar në 20 ditë, duke u reduktuar për dhjetë ditë, për shkak se “është me rrezik të mbesim pa furnizim të institucioneve shëndetësore, andaj shkurtimi i afatit në 20 ditë është i domosdoshëm që të arrihet furnizimi dhe vaksinimi këtë vit”.

Vaksinat kundër gripit sezonal pritet të merren në tetor.

Kjo është hera e parë që nga viti 2004 që Ministria e Shëndetësisë blen vaksina të tilla, pasi një procedurë e tillë përpara bëhej përmes marrëveshjes me UNICEF-in. Sivjet Kosova kishte blerë 120 mijë vaksina përmes kësaj marrëveshjeje, në çmim prej 5.51 euro. Në të kaluarën, Kosova merrte rreth 80 mijë copë në vit.

Kërkesa për furnizim është bërë bazuar në vendimin e Qeverisë, më 5 korrik, përmes së cilës Qeveria kishte obliguar Ministrinë e Shëndetësisë të ndante buxhetin e nevojshëm për blerjen deri në 500 mijë vaksina për gripin sezonal.