Haziri: S’kemi përvojë e as kapacitete teknologjike për të ndërtuar arsim online

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë të mërkurën se po shqyrtohen seriozisht tri opsionet e Ministrisë së Arsimit e Shkencës (MASH), për fillimin e vitit të ri shkollor. Por ka shtuar se nuk është përgjegjësi e tij se cila nga këto opsione duhet të implementohet.

Por ka thënë se Kosova nuk ka kapacitete teknologjike e as përvojë për të ndërtuar arsim online.

“Unë mbetem i përkushtuar që arsimi duhet të normalizohet me vijueshmëri të rregullt në shkollë, por duhet të gjendet modaliteti që të parandalohet përhapja e infeksionit. Është e paqëndrueshme të pretendohet që mund të ndërtojmë arsim online në Republikën tonë, pa kurrëfarë kapacitetem përvojë e mundësi teknologjike. Edhe ashtu, sistemi arsimor në Kosovë në rrafshin e vlerësimit të PISA-s, është shumë keq dhe pandemia mund ta përkeqësojë”, ka deklaruar Haziri.

Ai ka thënë se arsimtarët, prindërit, nxënësit dhe institucionet komunale, duhet të mobilizohen në gjendjen e rrugës më të mirë, në mënyrë që testi i maturës, regjistrimi i nxënësve dhe fillimi i shkollës të normalizohet në kushte pandemie.