Fjalimet e Hotit, Qeveria i prezanton si Platformë për dialogun

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i është referuar jo pak herë ekzistimit të një platforme për dialogun me Serbinë, por ajo nuk ekziston. Për këtë proces, Qeveria nuk ka asnjë dokument specifik të shkruar.

Kjo është evidentuar kur Qeveria është përgjigjur në një kërkesë për qasje në dokumente publike, të adresuar nga KOHA, më 27 korrik. Nëpërmjet saj kërkohej qasje në Platformën për dialogun me Serbinë, si dhe në çfarëdo dokumenti tjetër që lidhet me dialogun, të nxjerrë qoftë nga Qeveria, qoftë nga vetë kryeministri, që prej datës 3 qershor 2020, kur është zgjedhur përbërja e re e Ekzekutivit.

Në listën e dokumenteve që janë ofruar nuk ka ndonjë të titulluar – platformë. Janë gjithsej katër dokumente, prej të cilave dy fjalime.

Si dokument i parë, që i është prezantuar gazetës, është Programi qeverisës 2020 – 2023, në të cilin gjendet kapitulli 7, “Politika e jashtme, Integrimi në BE dhe Dialogu me Serbinë”, përkatësisht pika 7.3, ku është paraparë dialogu me Serbinë.

Si dokument i dytë është listuar fjalimi i plotë i kryeministrit Avdullah Hoti, i mbajtur në konferencën virtuale të Samitit të Parisit, më 10 korrik 2020.

Dokument i tretë është Vendimi për emërimin e Skënder Hysenit, koordinator shtetëror për dialog.

Ndërkaq, dokument i katërt është fjalimi i kryeministrit Hoti në seancën e Kuvendit të Kosovës për procesin e dialogut, të mbajtur më 24 korrik 2020.

Qysh në paragrafin e dytë të kapitullit të Programit qeveritar, të cilin kabineti i kryeministrit ia ka përcjellë gazetës, theksohet se nisjes së procesit të negociatave duhet t’i paraprijë nxjerrja e Platformës.

“Para fillimit të dialogut për marrëveshje përfundimtare me Serbinë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues do të përgatitet platforma për dialog, ku specifikohen objektivat që duhet të arrihen me marrëveshjen përfundimtare, çështjet për të cilat duhet të përfshihen dhe raportimi dhe transparenca gjatë procesit të arritjes së kësaj marrëveshjeje”, thuhet në të.

Rundi i parë i valës së re të dialogut është zhvilluar në fund të qershorit, ndërsa i dyti është planifikuar për në shtator. Ndërkaq, takime në nivel teknik janë realizuar ndërkohë. Por, Qeveria Hoti nuk e ka përmbushur këtë kërkesë programore për platformën.