Nga 28 qershori, me vendim të Qeverisë së Kosovës, ka rinisur operimi i plotë i fluturimeve të rregullta në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”. Gjatë muajit korrik pati rënie të madhe të numrit të fluturimeve e të udhëtarëve krahasuar me korrikun e vitit 2019. Njëjtë si korriku ka nisur edhe muaji gusht. Krejt kjo për shkak të pandemisë COVID-19.
Pasojat që ka shkaktuar pandemia në ekonominë e vendit, po vërehen edhe nga rënia e numrit të udhëtarëve në Aeroportin “Adem Jashari”.
Rreth 200 mijë më pak udhëtarë ka pasur gjatë muajit korrik të këtij viti, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.
Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësja e aeroportit “Adem Jashari”, Valentina Gara, ka treguar se gjatë muajit korrik, janë realizuar 838 fluturime, ndërkaq në të njëjtën periudhë kohore të vitit 2019, janë realizuar 2 mijë e 88 fluturime.
“Gjatë muajit korrik 838 fluturime u realizuan e aeroportin e shfrytëzuan mbi 88,513 udhëtarë, ndërsa në 2019 gjatë muajit korrik u realizuan 2,088 fluturime e u shërbyen 280,013 udhëtarë”, ka thënë Gara.
Rënie e numrit të fluturimeve dhe udhëtarëve po vërehet edhe gjatë muajit gusht, megjithëse ende jemi në dhjetëditëshin e parë të muajit, shifrat janë përgjysmë më të ulëta se në vitin e kaluar.
Gara ka bërë të ditur se nga 1 deri më 10 gusht të vitit 2019, aeroportin e kanë shfrytëzuar 113 mijë e 197 udhëtarë, për fluturime direkte, ndërkaq ky numër ka shënuar rënie gjatë periudhës së njëjtë kohore në vitin 2020 për mbi 75 mijë udhëtarë.
“113,197 pax për periudhën 1-10 gusht 2019, 37,983 pax (pasagjerë të fluturimeve direkte) në periudhën 1-10 gusht 2019. 743 fluturime ne 2019 për periudhën 1-10 gusht ndërsa në të njëjtën periudhë në 2020 kemi 328 fluturime të realizuara”, ka deklaruar Gara për Express.
Gara tha se rënia e numrit të udhëtarëve është si pasojë e pandemisë.
Ajo po ashtu tha se këtu ka ndikuar edhe vendimi i Qeverisë për kufizimin e numrit të fluturimeve brenda një ore.
“Kjo rënie e numrit të udhëtarëve vije si pasojë e pandemisë dhe po ashtu masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për kufizimin e fluturimeve në vetëm 1 fluturim brenda 45 minutave”, ka thënë Gara.
Pezullimi i fluturimeve ka hyrë në fuqi nga 16 marsi, 3 ditë pasi në Kosovë u shfaqën rastet e para me koronavirus.
Përjashtim kishte në linjat e udhëtimit në ardhje vetëm me ekuipazh, por pa udhëtarë që shërbejnë vetëm për largim të udhëtarëve nga Kosova.