KEDS me rrjet nëntokësor në lagjen Pejton

Njëjtë si në pjesët tjera të Prishtinës, KEDS është duke i larguar të gjitha shtyllat elektrike dhe duke e vendosur rrjetin elektrik komplet nën tokë edhe në Pejton. Mbi 4500 konsumatorët e kësaj lagje do të kenë rrjet modern, të standardeve më të larta.

KEDS aty kishte trashëguar një rrjet të stërvjetëruar dhe që nuk i përmbushte nevojat e furnizimit të lagjes. Krijimi i fyteve të ngushta ishte theksuar edhe më tepër me faktin se Pejtoni njihej si lagje me shtëpi njëkatëshe, ndërsa tashmë aty ka me dhjetëra ndërtesa të larta. Kabllot e rrymës nuk mjaftonin ta përballonin gjithë atë kërkesë të rritur, përderisa ishin stërvjetëruar. Por, tashmë gjithcka po ndryshon.

Tashmë në kanalet kabllovike të hapura enkas janë të vendosura anekënd Pejtonit mbi 26 mijë metra kabllo të tensionit 20 kV. Të njëjtën kohë konsumatorët do të kenë edhe linja rezervë alternative. Kjo nënkupton që nëse dalja e tyre ka prishje, menjëherë furnizimi kalon në daljen alternative dhe konsumatori nuk ballafaqohet me mungesë të energjisë.

Pra, me anë të modernizimit të rrjetit konsumatorët do të marrin shërbime dukshëm më kualitative dhe të sigurta të energjisë elektrike.

Investimet milionëshe në Pejton janë pjesë e megaprojektit që po zhvillon KEDS për Prishtinën. Pjesa më e madhe e rrjetit të Tensionit të Mesëm dhe një pjesë e konsiderueshme e Tensionit të Ulët deri vitin e ardhshëm do të vendoset nën tokë. Pas përfundimit të punimeve, 90 mijë nga 120 mijë konsumatorët e Prishtinës do të kenë furnizim alternative.

Do të dyfishohen kapacitetet distributive përmes zëvendësimit të të gjitha kabllove, të cilat do të jenë të reja dhe me kapacitet 20 kV nga 10 kV sa janë tani.

Investimet shkojnë në 17 milionë euro. Pas përfundimit të këtyre investimeve, rrjeti elektrik në kryeqytet do të jetë modern dhe kompatibil me rrjetet më të avancuara evropiane. Prishtina nuk do të ketë nevojë më fare për investime në rrjetin elektrik distributiv për 30 vjetët e ardhshme.