Testet e fundit vënë në dyshim ndeshjen Drita – Linfield

Hamdi Namani është futbollisti i vetëm që të hënën mbrëma ka dalë pozitiv në testin për koronavirus. Por, rezultatet e fundit të testit për koronavirus kanë vënë në dyshim zhvillimin e ndeshjes Drita – Linfield, ndeshje kjo e paraparë të zhvillohet të martën (sot) nga ora 18:00 në Nyon të Zvicrës.

KOHA në orët e vona të së hënës nga burime brenda kampiones së Kosovës ka mësuar se me masat e shtetit zviceran, ekipi i Dritës është dashur të izolohet në hotel. Por, është UEFA që lejon zhvillimin e ndeshjes qoftë edhe me 13 futbollistë, me kusht që njëri prej tyre të jetë portier.

Në klubin Drita nuk kanë dalë me qëndrim zyrtar nëse ndeshja kundër kampionit të Irlandës së Veriut do të zhvillohet.

Por, klubi i futbollit Drita ka akuzuar rëndë Konfederatën Evropiane të Futbollit (UEFA) për moslejimin e Bujar Shabanit të aktivizohet në ndeshjen kundër Linfieldit. Shabani është detyruar të vetizolohet bashkë me Fidan Gërbeshin, që ky i fundit të shtunën, në ditën e ndeshjes kundër Inter d’Escaldesit në testin për koronavirus doli pozitiv. Gërbeshi e Shabani të hënën dolën negativë në testin për koronavirus, por që UEFA nuk ua lejon të paraqiten edhe në finalen kundër kampionit të Irlandës së Veriut.

“E habitshme se çfarë po ndodh, e habitshme se si UEFA vepron me standarde të dyfishta, ku e detyron të izolohet lojtarin që rezulton katër herët e fundit negativ. Kjo është e pabesueshme se si mund t’i ndodhë një gjë e tillë një organizatori siç është UEFA”, shkruan në njoftimin e së hënës mbrëma të postuar në rrjetin social “Facebook”.

Në fakt, telashet për klubin e futbollit Drita nisën ende pa u nisur drejt Zvicrës.

Dritës i është dashur t’i bëjë ritestimet për 17 anëtarë, për t’u konfirmuar se nuk ka të prekur me COVID-19. Ndërsa, për shkak të problemeve me viza, një futbollist mbeti në Kosovë.

Megjithatë, futbollistët janë të vendosur që pa Namanin, Gërbeshin dhe Shabanin të arrijnë të kalojnë tutje.

Mbrojtësi i krahut, Ilir Blakçori, ka thënë se e kanë analizuar mjaft mirë ekipin kundërshtar.

“Nuk do ta kemi aspak të lehtë. Kemi një kundërshtar mjaft të fortë, por ne do ta japim më të mirën në fushë dhe të dalim fitues, pasi këtë e meritojnë qyteti i Gjilanit, ‘Intelektualët’ dhe e gjithë Kosova. Do të ndihet mungesa e tyre, por ne do të luajmë për ta fituar ndeshjen”, ka thënë Blakçori.

Edhe futbollisti tjetër i Dritës, Astrit Fazliu, thotë se do ta japin maksimumin për ta fituar ndeshjen. Ai thotë se do ta ndiejnë mungesën e tre futbollistëve kyç.

“Do të jenë mungesa të mëdha për ne, por kjo është situata, nuk mund ta ndryshojmë. Është një ndeshje më e vështirë sesa ajo e para, por ne besojmë në fitore. Shpresoj të jemi në formën maksimale për këtë ndeshje duke e ditur se na pret ndeshje e vështirë. Jemi në formë të mirë dhe ta arrijmë ta fitojmë këtë ndeshje për gjithë Kosovën”, është shprehur Fazliu.

Te klubi Linfield nuk kanë njoftuar për ndonjë lojtar të prekur me koronavirus.