Kurti u kërkon ndihmë ambasadorëve për situatën me COVID-19

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me një letër publike drejtuar ambasadorëve të vendeve mike dhe partnere të Kosovës, u ka kërkuar ndihmë për situatën e krijuar me COVID-19 në Kosovë.

Në një njoftim në Facebook, Kurti ka thënë se po kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve për institucionet shëndetësore në përballje me koronavirusin për shpëtim të jetëve.

Teksa ka theksuar se në Kosovë ka nevojë për më shumë staf mjekësor për shkak se shumë prej tyre janë të infektuar, Kurti ka përmendur edhe se furnizimet esenciale po mbarojnë. Sipas tij, së shpejti në Kosovë s’do të ketë as oksigjen të mjaftueshëm për të shpëtuar pacientët.

“Furnizimet esenciale mjekësore që nevojiten për të luftuar COVID-19 janë duke mbaruar dhe nëse kjo situatë dramatike vazhdon, së shpejti nuk do të ketë oksigjen të mjaftueshëm për të shpëtuar pacientët. Me shkencëtarët që parashikojnë një rritje të infeksioneve në sezonin e vjeshtës dhe dimrit, situata do të përkeqësohet edhe më tej duke shkaktuar një katastrofë humanitare”, ka thënë Kurti.

Kurti po ashtu ka thënë se Kosova është në gjendje të rëndë. Ai në letrën drejtuar ndërkombëtarëve ka kritikuar Qeverinë Hoti.

“Si Lider i Opozitës, është detyra ime që ta mbaj përgjegjës qeverinë aktuale, edhe në kohë të emergjencës kombëtare. Më vjen keq që nuk kemi një qeveri e cila vepron me përgjegjësi dhe profesionalizëm, që dëgjon shkencëtarët dhe ekspertët dhe që gëzon besim dhe kredibilitet midis qytetarëve. Virusi në vetvete nuk është vepër e qeverisë, por dështimi për të vepruar me përgjegjësi është rezultat i drejtpërdrejtë i paaftësisë së saj, çka vuri në rrezik gjithë vendin. Në këtë situatë tejet të rënduar, unë nuk mund të qëndroj i qetë derisa shoh një krizë shëndetësore që po degjenerohet në humanitare, duke kërcënuar jetët e mijëra qytetarëve të Kosovës. Ambasadorë dhe diplomatë të nderuar, unë i kam shprehur këto vështrime me ju shumë herë në takimet tona. Tani, në emër të popullit të Kosovës, publikisht ju kërkoj juve dhe vendeve tuaja që t’u siguroni institucioneve të kujdesit shëndetësor të Kosovës pajisjet e nevojshme mjekësore dhe burimet njerëzore për të mundësuar të parandalojmë që një krizë shëndetësore të shndërrohet në një katastrofë humanitare”, përfundon letra e Kurtit.