Policia jep detaje rreth vrasjes në Ferizaj


Një vrasje e rëndë ka ndodhur sot rrreth orës 8 e 20 në Ferizaj. Detaje rreth këtij rasti ka dhënë Policia e Kosovës.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Policia ka bërë me dije se viktima është një 83-vjeçare me inicialet M.Ç, derisa ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshuar për këtë rast.

“Rreth orës 08:20, policia ka marrë informatën për një rast vrasje e rëndë në Ferizaj. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore si dhe ekipi mjekësor, ku pas ekzaminimit nga ana e mjekut është konfirmuar se viktima e rastit kishte ndërruar jetë. Viktima M.Ç. (Shtetase e Kosovës e moshës 83 vjeçare). Pas hetimeve fillestare,hetuesit policor kanë arestuar një person të dyshuar lidhur me kët rast ku i njejti është duke u intervistuar”, thuhet në komunikatën e Policisë drejtuar mediave. 

Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar prokurori Veton Shabani, i cili ka thënë se sipas dyshimeve të para, po dyshohet se ka ndodhur një vrasje brenda familjes.

 “Ka dyshime për vrasje. Mjekësia Ligjore e ka marrë trupin e pajetë të viktimës, obduksioni do ta sqarojë situatën më detajisht. Por dyshimet e para janë se kemi të bëjmë me vrasje”, ka thënë Shabani.

Shabani ka bërë të ditur se viktima ka jetuar me djalin e saj, i cili sipas informatave të para nga vendi i ngjarjes, është i dyshuar kryesor.

“E ndjera ka jetuar me një djalë të saj, që sipas informatave të para, ka të meta mendore. Është dërguar për ekzaminim te psikiatri. I dyshuar për momentin është djali, policia e ka marrë dhe është duke u trajtuar nga psikiatri”, ka deklaruar Shabani.