Zemaj nga Presheva: Do të këmbëngul që shqiptarëve t’u ofrohen shërbimet mjekësore

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa ka nisur takimin me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Zemaj ka thënë se ka ardhur këtu të shoh për së afërmi situatën epidemiologjike dhe me çka përballen shqiptarët e kësaj ane.“Insistimi i jonë është që kujdesi për këta qytetarë të jetë i vazhdueshëm edhe me resurse tjera.

Në kuadër të kësaj bashkëbiseduam disa tema, dhe këto biseda do të konkretizohen edhe me veprime konkrete që shqiptarët e kësaj ane të ndihen të sigurte kur ju ofrohen shërbimet edhe nga qeveria e Beogradit”, ka thënë Zemaj.

Zemaj ka theksuar se do të këmbëngul që shqiptarëve të Luginës së Preshevës tu ofrohen shërbimet sikurse qytetarëve të tjerë.

“Do të këmbënguli që testimi i qytetarëve dhe atyre që kërkojnë tretman spitalor të ofrohen edhe për shqiptarët e kësaj ane dhe të mos kemi dallime. Këta janë qytetarë të kësaj pjese i paguajnë taksat dhe duhet t’u ofrohen shërbimet”, tha Zemaj.

Kurse, Ragmi Mustafa ka falënderuar Zemajn për këtë vizitë, që siç tha ai po bëhet në këtë situatë të vështirë, si shkak i pandemisë COVID-19.Zemaj së bashku me drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani po viziton komunën e Bujanovcit.Pas këtij takimi Zemaj do të vizitojë kryetarin Nagip Arifi, dhe shtëpinë e Shëndetit-COVID Ambulantën.

Po ashtu, gjatë ditës do të takohet me kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifin dhe kryetaren e PVD-së, Ardita Sinani.