Sulmuesi Edi Sylisufaj do t’i bashkohet përfaqësueses së Kosovës. Kjo është bërë e ditur të premten nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).
Sulmuesi 20-vjeçar po shkëlqen këtë sezon me fanellën e skuadrës suedeze Falkenbergs, pasi ka shënuar pesë gola qëkur ka nisur stinori në këtë vend, në muajin qershor.
“Ai më parë ka qenë edhe pjesë e Kombëtares U17 të Suedisë, derisa vlerësohet si njëri nga futbollistët më të talentuar. FFK-ja tashmë ka filluar procedurat rreth rregullimit të dokumenteve të nevojshme për lojtarin dhe nëse gjithçka kryhet me kohë, atëherë ai do të mund të paraqitet në fanellën dardane qysh në shtator në ndeshjen kundër Anglisë U21 në Prishtinë, teksa shumë shpejt mund ta shohim edhe në fanellën e Kombëtares A, ngase bëhet fjalë për një sulmues tejet të spikatur”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Sylisufaj është me origjinë nga Tropoja, por ka lindur në Suedi.