Kosova me numrin më të vogël të testimeve, vetëm 2.22% e popullsisë u testuan

Për javë me radhë, pothuajse gjysma e personave të testuar kanë rezultuar pozitivë me virusin Sars Cov2. Në Kosovë që nga paraqitja e rasteve të para pozitive me këtë virus, numri më i madh i testimeve ishte 562 mostra brenda 24 orëve.

Por, kjo shifër krahasuar me vende të rajonit, është shumë e vogël, ndërkaq shtete në rajon testojnë brenda ditës deri në 10 mijë persona. Kosova, tash e një muaj është duke testuar vetëm personat e dyshuar të cilët kanë simptoma të theksuara.

Megjithatë, sipas mjekëve, numri i testimeve në Kosovë duhet të rritet sa më shpejt.

Blerim Syla nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë tha se ky numër duhet të rritet urgjentisht, në mënyrë që të dihet se si të veprohet më tutje, raporton KOHA.

Përderisa kryetari i Shoqatës për të drejtat e pacientëve, Besim Kodra, në një përgjigje me shkrim, tha se Kosova urgjent duhet t’u krijojë mundësitë edhe spitaleve rajonale por edhe institucioneve private që të bëjnë teste, në mënyrë që të ketë statistika sa më të sakta.

Por nga MSh-ja kanë njoftuar se IKSHPK-ja, nga mesi i këtij muaji, do t’i rrisë kapacitetet. IKSHPK do të sigurojë edhe 3 aparatura të tjera të PCR për të filluar edhe me një ndërrim shtesë të testimeve, derisa është në proces edhe licencimi i institucioneve private për këtë shërbim.

Hoti megjithatë ka thënë se aktualisht në IKSHPK ka teste të mjaftueshme për këtë periudhë për diagnostikim të SAR COV-2.