Feim Kelmendi ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e ushtruesit të detyrës së zyrtarit kryesor të Financave dhe Thesarit në Telekom, tre muaj pasi kishte marrë këtë pozitë.
Në një postim në Facebook, Kelmendi ka publikuar një letër njoftuese për dorëheqjen. Ai ka thënë se është ndier i “shokuar, zhgënjyer dhe i poshtëruar” nga vlerësimi i Bordit të ri të Drejtorëve në këtë ndërmarrje.
Ai ka thënë se bazuar në vlerësimin që ky bord i ka bërë punës së tij, e ka të pamundur të vazhdojë të kryejë atë funksion.
Në letrën e tij, Kelmendi u ka uruar “dështim me misionin dhe qëllimet jo të ndershme” bordit të ri të Telekomit.
Në fund të korrikut, Qeveria Hoti emëroi Bordin e përkohshëm të Telekomit, pak ditë pasi i kaluari dha dorëheqje për shkak se përmbaruesi kishte tërhequr nga xhirollogaria e ndërmarrjes të gjitha mjetet që posedonte.