Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka folur për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.
Selimi në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se vijat e kuqe nuk kanë ekzistuar kur në pyetje kanë qenë mocionet e mosbesimit. Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se edhe në të kaluarën ata kanë mbështetur mocione mosbesimi pavarësisht se nuk janë përputhur politikisht duke aluduar në mbështetjen që i kishte dhënë LVV mocionit të filluar nga NISMA për rrëzimin e qeverisë së Isa Mustafës.
Selimi thotë se edhe numri i madh i të vdekurve është një arsye më shumë për rrëzimin e kësaj qeverie.
“Qeveria Kurti arriti jo vetëm ta menaxhoj suksesshëm pandeminë por edhe arriti ta sjellë deri në zero raste numrin e të prekurve me COVID-19. Sot në zero jo që nuk po mund të kthehet numri i të prekurve me COVID-19 por edhe numri i të vdekurve nuk po arrihet të kthehet në zero”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje thotë se në kohën e qeverisjes së LVV-së nuk u mbyll vetëm Kosova por edhe shtetet e rajonit.