Hyseni: Kurtit i kam kërkuar takim për të folur për dialogun, nuk po përgjigjet

Koordinatori shtetëror për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, ka thënë se pas takimeve në Bruksel dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka kontaktuar të gjithë aktorët politikë për t’i informuar rreth zhvillimeve të fundit në procesin e dialogut.

Hyseni ka thënë se e ka ftuar edhe Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje, por s’ka marrë përgjigje nga ai.

“Rexhep Selimit ia kam shtruar kërkesën që Kurti të më takojë kurdo që e sheh të përshtatshme dhe të nevojshme ai që ta informoj rreth takimit në SHBA”, ka treguar Hyseni në Rubikon.

“Kam insistuar dhe do të vazhdoj të insistoj që t’i njoftoj të gjithë përfaqësuesit e partive. S’ka pasur asnjë përgjigje prej Kurtit. Menjëherë pas kthimit nga Brukseli e kam ftuar’’, ka thënë ai.

“Kam zhvilluar takime me të gjitha palët e interesuara për informim nga dora e parë rreth dialogut”.