Elseid Hysaj duket se ka rilindur te Napoli pas periudhës së errët që kaloi nën drejtimin e Ancelottit.
Me emërimin e Gattusos trajner, mbrojtësi shqiptar ka luajtur shumë më tepër, madje në disa pozicione, megjithatë palët nuk kanë ndërmend të rinovojnë kontratën, që i skadon pas një viti.
Për këtë arsye, klubi dhe përfaqësuesi i shqiptarit, Mario Giuffredi, po punojnë për një zgjidhje sa më të mirë për të ardhmen.
Orët e fundit, në mediet italiane janë shtuar zërat për interesimin e Torinos, por qëndrimi i 26-vjeçarit për këtë mundësi duket se nuk ka qenë pozitiv.
Sipas “AreaNapoli.it”, për shqiptarin interesohet edhe Juventusi, ku trajneri Maurizo Sarri (mentori i shkodranit që kur drejtonte Empolin) do ta priste me shumë kënaqësi.
Hysaj, sipas zërave të fundit, mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje të madhe mes Juventusit dhe Napolit.
Shkodrani dhe Milik do të shkonin në Torino, kurse Bernardeschi dhe Higuain në Napoli.
Për shkak të krizës së Koronavirusit, klubet duhet të gjejnë mënyra kreative për merkaton, duke parë se mungojnë paratë “cash”.
Marrëveshja të tilla, që deri dje konsideroheshin utopike, mund të bëhen realitet.