Lideri i AAK-së, ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se si gjithë njerëzit edhe ai frikësohet nga virusi COVID-19.
Por sipas tij, nuk duhet bllokuar e gjithë jetesa, por që njerëzit duke pasur kujdes vazhdojnë edhe jetën.
Madje Haradinaj tha se është absurde të mos lejohet qarkullimi pas orës 22:30, pasi njerëzit automatikisht po detyrohen të mblidhen më tepër para kësaj ore.
“Pse mos mi lënë njerëzit me lëviz me kerr mas 22:30 kujt ia përhap ai p.sh virusin?. Është mysafir e ka me shku në katun të vetin, pse mos me udhëtu ai? S’ka kafe e restorante qel, le të vazhdon. Disa ide të ndalesave janë bërë pa kalkulim. S’ka arsye me i ndalë njerëzit për qarkullim. Se po i detyron me dal të gjithë para 22:30. Nëse dikush ka me shku në Dragash, duhet me u qu në 4 apo pesë me shku”, tha Haradinaj në TV Dukagjini
Gjithashtu Haradinaj tha se është pro-mbajtjes së dasmave në Kosovë. Madje ai tha se nëpër plazhet e Shqipërisë ka aq shumë shqiptarë, sa ngjiten me njëri-tjetrin nëpër plazhe.
“Jam për me u mbajt dasmat, p.sh shkoj në Shqipëri, isha në Vlorë krejt i ki të Kosovës, në Durrës i ki të Kosovës, janë në plazh njerëzit si në ditë të pazarit. Pse mos mi mbajt na dasmat, p.sh në një distancë, nëse është e paraparë 1 metër e gjysmë distanca, nëse ka dezinfektues. Kemi mujt me shku pak më përpara, p.sh mi thënë pronarit të sallës së dasmave i ki këto kushte për mbajtje të dasmave. Kisha shku ka ideja që shkollat me fillu, çerdhet poashtu. Fëmija duhet me shku. E shoh ministrin Zemaj se është në kohë të vështirë, është kohë e vështirë edhe për udhëheqjen e Hotit e duan me çdo kusht me mbajt gjendjen nën kontroll, por duhet krijuar ekipe të ekspertëve ekonomik për t’u marrë me këto çështje”, shtoi ai.
Haradinaj tha se shpreson që dalëngadalë të lirohet edhe ritmi i lëvizjes në gjithë Kosovën, ku shtoi se në familjen e tij nuk pati ndonjë person të infektuar me koronavirus.
“Unë shpresoj se shkojmë më tutje gradualisht, duke e liru jetën. Normal që i frikona virusit, për veti për nanën që unë e shoh çdo mëngjes. Pas çdo kontakti i laj duart me sapun, me çka të qëlllon, pastaj hezitoj me nejt shumë afër me shumë njerëz, nëse kam pas afërsi bëj dezinfektim, e përdori edhe maskën. Deri tash se kemi pas askush, por s’do të thotë që s’kemi me pas. Kjo është jo shumë e njohur, i ka disa specifika. Një polic që më përcjell mua gruaja e tij e ka pas dy javë, por ka disa ndodhi të çuditshme. Është më mirë me i thënë popullit, runu por mos u ndalni në jetë”, tha ai.