Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Uran Ismaili ka hedhur poshtë mundësinë që kjo parti t’i bashkohet në të ardhmen Qeverisë aktuale të udhëhequr nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike e Kosovës.
Ai në TV Dukagjini ka folur rreth mundësisë që PDK-ja të hyjë në Qeverinë Hoti.
“Nuk është ende në opsion që të jemi në qeveri. Kjo ide nuk është përkrahur nga PDK-ja, por më tepër shihet si reflektim e përvojës së madhe të PDK-së në ekzekutiv që të merret me vendime të mëdha të qeverisjes. Si PDK nuk e kemi ende si opsion”, është shprehur ai.
Ismaili ka folur rreth rolit opozitar të PDK-së në menaxhimin e gjendjes me pandeminë COVID-19.
“Ne kemi luajtur rolin tonë opozitar, siç ka qenë vullneti ynë për ligjin antiCOVID-19, kemi mbështetur rishikimin e buxhetit pasi është i rëndësishëm për shkak të pandemisë, por edhe kemi kritikuar aty ku është dashur. Kemi bërë një punë proaktive si opozitë dhe kjo mund të lë të nënkuptojë të jemi në afër qeverisjes”, ka thënë Ismaili.