Ditë më parë janë zhbllokuar llogaritë e Ndërmarrjes Publike, Telekomi i Kosovës, të cilat u bllokuan nga përmbaruesi privat për shkak të borxhit që kjo ndërmarrje ka ndaj kompanisë private Dardafon.
Me bllokimin e llogarive nga përmbaruesi privat nga llogarit e Telekomit u morën të gjitha mjete kështu duke i lënë pa paga edhe punëtorët e kësaj ndërmarrje, raporton Front Online.
Lidhur me këtë për Fron tOnline, ka folur kryetari i Sindikatës Profesionale të Telekomit të Kosovës, Mehmet Xhemajli.
Ai tha se punëtorët e Telekomit ende nuk i kanë marrë pagat dhe se po presin që brenda javës t’i marrin pas premtimit që iu ka bërë kryeministri Hoti dhe ministri Blerim Kuçi.
“Pagat nuk i kemi marrë për këtë muaj pasi që pas bllokimit të llogarive, llogaritë janë zbrazë nga përmbaruesit. Ne kemi pas takim me Kryeshefin Ekzekutiv ku nëpërmjet tij kemi kërkuar edhe nga bordi që t’i adresohet Ministrisë dhe Kryeministrit që ta mbajnë premtimin e tyre që deri me datë 5,6 do të zgjidhën të gjitha problemet dhe punëtorët t’i marrin pagat. Ne shpresojmë deri të premten që Kryeministri në veçanti të bëjë zgjidhje sepse ka qenë ai që na ka premtuar dhe presim nga Ministri që ta mbajnë fjalën dhe ta ndihmoj Telekomin që t’i sigurojnë pagat deri të premten”, tha ai.
Xhemajli tha se në rast se pagat e punëtorëve nuk ekzekutohen të premten, nga dita e hënë do t’i marrin të gjitha veprimet e garantuara me Ligjin për Sindikatat.
“Nëse nuk dalin pagat, ne të hënën do t’i kemi takimet me sindikata dhe t’i marrim veprimet konkrete të cilat i kemi të lejuara me ligj. Ne jemi duke pritur deri të premten me mirëkuptim”, tha ai.