Ministria e Ekonomisë: Bordet u shkarkuan sepse vazhdonin të rekrutonin zyrtarë të lartë

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, në krye me Blerim Kuçin, thotë se shkarkimi i katër ndërmarrjeve publike nga Qeveria Hoti, u bë për shkak se pavarësisht kërkesës së ministrit Kuçi për pezullim të rekrutimeve, ato kanë vazhduar procedurat e rekrutimit të zyrtarëve të lartë.

Sipas MEA, shkarkimi i bordeve të këtyre ndërmarrjeve ka ardhur si pasojë e mos respektimit të rekomandimit dhe kërkesës nga aksionari – Qeveria e Kosovës, që ka kompetencë ekskluzive për ushtrimin e të drejtave të aksionarit në Ndërmarrjet Publike Qendrore, duke u mbështetur në Ligjin Nr.03/L-087 për Ndërmarrje Publike dhe Ligjin për Shoqëri Tregtare.

Në kumtesën për media thuhet se Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, i ka dërguar rekomandim dhe kërkesë ministrit Blerim Kuçi për pezullimin e procedurave të rekrutimit të pozitave të larta në ndërmarrjet publike.

Më herët, ka reaguar edhe ish-ministrja e MEPTINIS, Rozeta Hajdari, duke thënë se ky veprim erdhi pas kërkesave të Kuçit.

“Arsyeja e kërkesës për pezullimin ishte që duhet pritur deri në fillimin e zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar me Ambasadën Britanike, për asistencë në përzgjedhje meritore të pozitave të larta dhe udhëheqëse në Ndërmarrje Publike Qendrore dhe Agjencione Qeveritare. Gjithashtu, pasi bordet e përkohshme emërohen, kanë mandat të shkurtë (6-mujor) dhe nuk përzgjidhen me konkurs, ato nuk mund t’i përshtaten objektivave afatgjate të ndërmarrjes duke rekrutuar pozita të rregullta afatgjata të menaxhmentit në ndërmarrjet publike ku veprojnë, siç është tentuar të bëhet”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Ekonomisë.

Pas këtij rekomandimi dhe kërkese, thuhet tutje, ministri Kuçi u ka dërguar menjëherë Ndërmarrjeve Publike Qendrore kërkesë që të pezullojnë përkohësisht këto procedura të rekrutimit, deri në fillim të zbatimit të marrëveshjes me Ambasadën Britanike.

“Kjo kërkesë e ministrit është injoruar totalisht që të zbatohet, madje jo vetëm njëherë”, thuhet tutje.

ME thotë se katër bordet e përkohshme të ndërmarrjeve publike: Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), KRU “Prishtinës”, Ndërmarrjes Publike Qendrore NPH “Ibër-Lepenc” dhe KRU “Hidroregjioni Jugor”, që tashmë janë shkarkuar nga Qeveria e Kosovës, përkundër kërkesës së ministrit Blerim Kuçi kanë vazhduar procedurat e rekrutimit të zyrtarëve të lartë.

“Në këtë pikë, për shkak të mospezullimit të procedurave sipas kërkesës së aksionarit, ka ardhur shkarkimi i këtyre bordeve të përkohshme dhe zëvendësimi me anëtarë të rinj të përkohshëm të bordeve të katër ndërmarrjeve publike qendrore”, thuhet tutje.