Ministria e Shëndetësisë ka hapur konkursin për specializimin e mjekëve.
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, tha se procesin e bllokuar për katër vjet ai arriti ta zhbllokoj për tre javë.
Zemaj njoftoi se këtë vit do të pranohen 1 mijë e 34 kandidatë.
Ai tha se rëndësi do t’i kushtohet shtimit të kapaciteteve për luftimin e pandemisë COVID-19.
“Kam kënaqësinë e veçantë që të japë lajmin për hapjen e konkursit për shkollim specialistik, një proces i bllokuar për katër vjet me radhë. Krahas luftës së përditshme dhe sfiduese me pandeminë, kemi punuar edhe në procese me interes të veçantë për shëndetësinë kosovare”.
“Një prej tyre është edhe ky proces, ku falë punës së shkëlqyer të bordit qendror për shkollim specialistik e si prioritet i ministrisë edhe qeverisë, këtë proces të bllokuar për katër vjet arritëm ta zhbllokojmë për vetëm tri javë”.
“Është një proces ndër më të rëndësishëm për profesionistët e rinj shëndetësor. Për katër gjenerata iu është mohuar e drejta e shkollimit duke shkaktuar deficit të kuadrove specialistike shumë me rëndësi për Republikën e Kosovës. Prandaj duke qenë i vetëdijshëm që numri i atyre që do të profilizohen në lëmi të ndryshme është shumë i madh ne kemi shfrytëzuar të gjitha mundësinë ligjore dhe buxhetore për të krijuar sa më shumë vende”.
“Ne sot shpallim hapjen e konkursit për 1034 vende, një numër rekord, që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në vendin tonë”.
“Këto specializime ne i kemi ndarë në dy kategori. Në kategorinë e parë hyn ato që janë me rëndësi nacionale dhe që kanë të bëjnë me luftën e COVID-19, me ç’rast këta mjekë dhe specializantë e ardhshëm, menjëherë do të angazhohen për t’i ndihmuar kolegët e tyre. Në kategorinë e dytë, janë lëmit e tjera që jo në mënyrë të drejtpërdrejtë të lidhura me luftën ndaj pandemisë”.
I pari i Shëndetësisë u zotua se asnjë nuk do të mbetet pa mundësi shkollimi në Kosovë.
“Po ashtu rëndësi ju kemi kushtuar edhe spitaleve rajonale, duke i ndarë 100 specializime për kuadrat deficitare. Natyrisht për shkak të bllokimit të procesit për katër vjet, kërkesat janë të mëdha, por specializimet do të hapen për çdo vjet, dhe gjatë mandatit tim politik dhe të kësaj qeverie nuk do të lejojë asnjë kandidat të mbetet pa mundësi shkollimi në Republikën e Kosovës”.