Kryeministri Avdullah Hoti, pati sot edhe një takim me Aleksandar Vuçiq.
Kjo ndodhi në bashkëbisedimin virtual të liderëve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit të Këshillit Atlantik që kryetemë patën rrugët e reja të bashkëpunimit ekonomik, njofton Klan Kosova.
”Ne kemi punuar shumë për ta integruar rajonin por në terma të Integrimit ekonomik ka barriera të mëdha. Kjo vjen pasi që ka shumë burokraci me një numër të madh të çështjeve që duhen adresuar nëpërmjet ligjeve që t’i heqim këto barriera”, u shpreh Hoti para panelit virtual.
Në video konferencën e thirrur nga Këshilli i Atlantikut amerikan, Hoti tha se mungojnë lidhjet Infrastrukturore mes vendeve të Perëndimit të Ballkanit dhe poashtu ujditë bilaterale.
Por Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u lëshua në tema politike.
”Ne kemi problemet tona. Së paku një vend dëshiron të ik nga rajoni . Pastaj e kemi ndeshjen e famshme politike Beograd-Prishtinë. Kjo nuk është për faj as të Avdullah Hotit e as për faj timin , ne e dimë që duhet të ndreqim çështjen mes nesh edhe pse unë në këtë pikë jam fortë pesimist”.
Në panelin e dytë online foli i dërguari i Amerikës për krejt Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer.
Ai konsideron se janë të tepërta diskutimet se ka çarje Europë-SHBA në procesin e dialogimit Kosovë-Serbi.