Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim për uljen e përkohshme të tarifave të sigurimit kufitar të autopëgjegjësisë. Kjo është vendosur në një mbledhje të bordit ekzekutiv të këtij institucioni të mbajtur sot.
“Ky vendim i marrë nga menaxhmenti i BQK-së ka ardhur pas shqyrtimit të raportit aktuarial të datës 16 korrik 2020 të Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe raportit aktuarial të BQK-së mbi adekuatshmërinë e tarifave të sigurimit kufitar nga autopërgjegjësia dhe është vlerësuar se ekziston bazë e mjaftueshme për ndryshimin e tarifave të primeve të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për automjete dhe motoçikleta për udhëtarë”, thuhet në njoftim.
Me anë të këtij vendimi Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga Byroja Kosovare e Sigurimeve që në emër të anëtarëve të saj, siguruesve të licencuar për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, të ulë përkohësisht tarifat e sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për grupet tarifore të autoveturave dhe motoçikletave për 35 për qind .
“Po ashtu me anë të këtij vendimi kërkohet që aplikimi i tarifave të reja të policave kufitare të zbatohet nga data 1 gusht 2020 deri më 31 dhjetor 2020”, thuhet tutje në njoftim.
Ndërkaq në një konferencë për media, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se remitencat që kanë ardhur në Kosovë janë rreth 7 për qind më të larta, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ajo ka thënë se deri më tani janë 433 milionë euro që kanë ardhur nga diaspora, derisa e ka cilësuar si kontribut të jashtëzakonshëm.
Bajrami ka thënë se primi i sigurimit që e kanë paguar në kufi nuk ka qenë kosto e madhe për ta, por shton se ka qenë maltretim met ë cilin janë përballur në kufi
‘Bashkatdhetarët tanë mund ta marrin primin online në faqen e Byrosë Kosovarë të Sigurimeve dhe ata do t’i kalojnë pritjetet e gjata në kufi. Në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të ndahen mjete për zbatimin e këtij vendimi”, ka thënë ajo
Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, ka thënë se janë ulur tarifat por policat kufitare për masën 35 për qind për autoveturat dhe motoçikletat.
Ai ka thënë se kjo është për lehtësimin e ardhjes së bashkatdhetarëve, derisa ka shtuar se ata duhet të pajisen me polica online.
Mehmeti ka thënë se Qeveria merr për obligim që të mbulojë 100 për qind policën e sigurimit për bashkatdhetarët.