Presidenti Thaçi më në fund e vë maskën

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në dy paraqitjet e fundit të tij në publik ka vënë maskën mbrojtëse, gjënë kryesore për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Me maskë mbrojtëse është paraqitur sot teksa ka vizituar drejtuesit shëndetësorë në oborrin e QKUK-së si dhe mbrëmë, kur vizitoi familjen e komandantit Mujë Krasniqi në Klinë. Por pak orë më herët, ai u paraqit pa maskë në një tavolinë me tre burra në Prizren duke pirë çaj. Ai ishte i vetmi pa maskë në tavolinë.

Paraqitjet e tij pa maskë mbrojtëse janë kritikuar nga mediat, analistët dhe në rrjetë sociale. Për këtë “fenomen” foli të hënën edhe zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, kur tha se “të gjithë ata që nuk mbajnë maskën duhet të gjobitën, qoftë edhe nëse bëhet fjalë për presidentin, kryeministrin …”.

Thaçi ndër të tjera u paraqitë pa maskë edhe pranë turmës që e priti në kufi pas kthimit nga Haga, ku u intervistua për katër ditë nga Prokurori i Dhomave të Specializuara. Pa maskë u paraqit edhe në një takim me studentët, pastaj në takim me kryeministrin Hoti dhe në shumë takime tjera. Të gjithë të tjerët që e takuan, mbanin maska.

Në fakt, i pari i vendit në fillim të pandemisë ka qenë ithtar i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe e propozoi këtë, por kjo nuk u pranua nga ish-kryeministri Albin Kurti.