Presidenti Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme, ka qëndruar për vizitë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku ka diskutuar dhe është njohur për së afërmi me situatën pandemike në të cilën gjendet Kosova
Thaçi ka përgëzuar personelin mjekësor për punën që po bëjnë për luftimin e pandemisë, dhe ka premtuar se do të kenë mbështetjen e të gjithë instancave të shtetit në luftën kundër virusit.
“Ju përgëzoj për punën e shkëlqyer që keni bërë. Vazhdon të mbetet një betejë e madhe. E jona është që t’iu mbështesim me të gjithë potencialin shtetëror që e kemi. Puna juaj ka bërë që të ketë një sukses në këtë drejtim. E di që keni qenë shembull për rajonin. Keni marrë veprime të shpejta, të sakta e precize. Më vjen mirë që ka një mobilizim të madh të gjithë stafit këtu”, ka thënë presidenti.
Thaçi tutje ka përmendur edhe takimet që ka pasur me kryeministrin Avdullah Hoti dhe ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe ka siguruar krerët e Institutit të Kombëtar të Shëndetit Publik se do ta kenë përkrahjen e plotë të institucioneve të vendit.
“Ne kemi biseduar edhe me qeverinë, kryeministrin, ministrin e shëndetësisë. Të jeni sigurt që do ta keni përkrahjen e të gjitha institucioneve, që ta kalojmë më lehtë dhe pa pasoja. E theksoj që jeni heronjtë e kësaj kohe, që po përballeni me një fenomen që ka prekur të gjithë botën”, ka thënë Thaçi.