QKUK-ja nuk flet për pacientin e shtrirë në korridor, thotë se ka shtretër të mjaftueshëm për të prekurit me koronavirus

Mëngjesin e sotëm një pacientë me oksigjen është parë i shtrirë në korridorin e Klinikës Pulmologjike të QKUK-së, për shkak të mungesës së shtretërve në këtë Klinikë.

Në orët e hershme të mëngjesit të së martës në Klinikën Pulmologjikë te Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), një pacient me oksigjen është parë i shtrirë në pritore të kësaj klinike pasi që nuk kishte shtrat të lirë për të.

Mirëpo nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës nuk e kanë komentuar këtë rast, por kanë thënë për lajmi.net, se QKUK-ja ka shtretër të mjaftueshëm.

“Në QKUK dhe spitalet e përgjithshme ka kapacitete momentale për 700 shtretër të dedikuar për trajtim të rasteve të dyshuara dhe konfirmuara me Covid-19, këto hapësira përfshijnë klinikat Covid në QKUK dhe spitalet e përgjithshme. Në tërë SHSKUK-në, janë në dispozicion 4000 shtretër, 2000 në QKUK dhe 2000 tjerë në spitalet e përgjithshme”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së dhënë për lajmi.net.

Sipas tyre, komiteti për menaxhimin e situatës me koronavirus analizon situatën në baza ditore dhe në bazë të nevojave edhe merren vendimet për zgjerimin e hapësirave të reja në QKUK.

Mirëpo nga QKUK-ja kanë bërë të ditur për lajmi.net, se në të gjitha klinikat dhe spitalet rajonale për momentin ka shtretër të mjaftueshëm dhe mund të zgjerohen kapacitetet në çdo kohë.

“Komiteti për menaxhim të situatës me Covid-19 në nivel të SHSKUK-së, në baza ditore analizon situatën dhe varësisht nga nevojat dhe do të marrë vendim për zgjerim të kapaciteteve për hapësira të reja në klinikat e QKUK-së, por edhe spitalet e përgjithshme për trajtim të rasteve me Covid-19. Pra, QKUK dhe SHSKUK për momentin ka shtretër të mjaftueshëm dhe mund të zgjerohen kapacitetet në çdo kohë”, thuhet në përgjigje.

Theksojmë se gjatë së hënës ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në Klinikën Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha, ka alarmuar duke thënë se, numri i shtretërve në dispozicion për pacientët e infektuar me COVID-19, është duke mbaruar pasi që sipas saj, kanë mbetur më pak se 100 shtretër të lirë për pacientët me koronavirus.