Ismaili: Situata me Covid-19 është dramatike, Qeveria ka dështuar në menaxhim

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, deputeti Uran Ismaili e vlerëson alarmante situatën me covid-19 në Kosovë, ndërsa thekson se sistemi shëndetësor është buzë kolapsit.

Ish-ministri i Shëndetësisë ka shkruar në faqen e tij në Facebook se Qeveria Hoti po tregohet se nuk ka kompetencën e duhur për ta menaxhuar situatën.

“Rritja enorme e rasteve me Covid-19 në Kosovë është indikatori kryesor i një sërë dështimesh që e kanë percjellë sistematikisht këtë pandemi. Sot më shumë se kurrë shihet mungesa e vendimmarrjes dhe vizionit të Qeverisë për përballjen me pandeminë”, tha Ismaili.

Deklarata e plotë e Uran Ismailit:

Situata me Covid-19 në Kosovë është dramatike dhe sistemi shëndetësor është buzë kolapsit. Ky fakt duhet t’i alarmojë të gjithë. Është e pakuptimtë që Qeveria edhe më tutje t’i përgjigjet pandemisë me një qasje të tillë, pa politika të qarta që do ta kthenin mbarë këtë gjendje të rënduar.

Konferenca e sotme e Qeverisë Hoti edhe një herë vuri në pah mungesën e kompetencës të kësaj Qeverie. U tha se do të blihen aparatura për testime, e do të rriten kapacitetet e spitaleve, por pa asnjë afat kohor e asnjë detaj tjetër. Kemi pesë muaj ballafaqim me pandeminë dhe përgjigje të tipit “jemi në proces” janë tejet të vonuara.

Rritja enorme e rasteve me Covid-19 në Kosovë është indikatori kryesor i një sërë dështimesh që e kanë percjellë sistematikisht këtë pandemi. Sot më shumë se kurrë shihet mungesa e vendimmarrjes dhe vizionit të Qeverisë për përballjen me pandeminë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shtetet që testojnë vetëm raste të rënda simptomatike, ose të shtruara në spital, kanë shkallë më të lartë të vdekshmërisë sesa vendet që bëjnë testime të shpeshta. Ky është mesazh i qartë se testimi duhet të rritet, në mënyrë që të ulet kjo normë shumë e lartë e vdekshmërisë.

Deri më tash nuk është nuk shënuar progres në këtë drejtim. Derisa në Kosovë zyrtarisht me virus janë prekur mbi 7 mijë persona, kapacitetet testuese janë pothuajse të njëjta me ato kur vendi kishte vetëm 1 të infektuar. Qeveria Kurti dhe Qeveria Hoti për pesë muaj dështuan të rrisin nivelin e testimit dhe kjo është dëshmia më e mirë e disfatës së tyre kundrejt pandemisë.

Në mungesë të një plani të qartë, Ministri Zemaj po krijon mekanizma të ndryshëm për të menaxhuar pandeminë dhe po e vështirëson procesin e vendimmarrjes. Organizimi i tillë i fragmentuar në komitete, komisione e borde të ndryshme që nuk koordinohen, është kundër-produktiv. Kjo formulë e organizimit e shpërndan përgjegjësinë dhe bën që qytetari të thellohet edhe më shumë në krizë shëndetësore.

Pandemia ka shkaktuar një krizë me pasoja të rënda dhe për këtë Qeveria duhet të përdorë më shumë kapacitetet e veta për të rritur efikasitetin e sistemit shëndetësor. Puna e madhe dhe sakrifica e të gjithë punëtorëve shëndetësorë duhet të përcillet me politika të mirëfillta qeveritare, për t’i zbutur efektet negative të virusit sa më shumë që të jetë e mundur. Ndryshe, Kosova do të zhytet edhe më shumë në krizë.