Sulmuesi kosovar, Leon Dajaku, ka thënë se është krenar me Kombëtaren e Kosovës dhe se ajo do të kualifikohet në Euro 2020 pasi që djemtë e saj kanë shumë potencial.
Në një lidhje ekskluzive për emisionin Sports Show në Klan Kosova, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të luajë për Kosovën.
“Unë çdo lojë i shikoj dhe ata [Dardanët] kanë shumë potencial. Ne shqiptarët jemi gjithkah, jemi populli i vogël, por me potencial të madh, besoj se do të shkojmë shumë larg”.
I pyetur të zgjedh Gjermaninë apo Kosovën, ai është përgjigjur se nuk ka vendosur ende për një gjë të tillë.
“Tash luaj për Gjermaninë dhe nëse vjen koha – do ta shohim në të ardhmen. Por, çdo lojë i shikoj dhe jam krenar që ka ecur kaq mirë Kosova”.
“Kosova do të kualifikohet sepse kemi shumë potencial. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm do të kualifikohemi”.
“Jam shumë krenar që Dardanët kanë dëshirë të më shohin duke luajtur për Kosovën. Unë nuk them jo sepse nuk i dihet, por njëherë jam në Gjermani”.