Qeveria nën llupën e partnerëve të koalicionit

Partnerët e koalicionit të Qeverisë së Kosovës e kanë porositur kryeministrin Avdullah Hoti se nuk mund të marrë më vendime pa u konsultuar me ta.

Më pak se dy muaj që nga formimi i qeverisë së rë të Kosovës, kryeministrit Hoti i kanë arritur tashmë kritikat e para nga partnerët e koalicionit qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.

Të dy partnerët e koalicionit nuk janë pajtuar me kryeministrin Hoti për mënyrën se si e ka rinisur dialogun politik me Serbinë.

Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që është pjesë e koalicionit qeverisës, thonë se partia e tyre e mbështet dialogun, por theksojnë se dialogu në Bruksel asnjëherë nuk ka prodhuar asgjë të mirë për Kosovën, pa prezencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deputetja Time Kadrijaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se Kosova nuk guxon të rrëshqas në dialogun teknik sepse dialogu teknik e favorizon Serbinë. Ajo thekson se kryeministri Hoti, nuk mund të marrë më vendime pa konsultimin e partnerëve të koalicionit.

“Ne jemi partnerë të koalicionit dhe për çdo veprim duhet të konsultohemi. Asgjë nuk bën të ndodh nëse nuk kemi konsulta paraprake. Ju e keni parë që ka kundërshtuar edhe zoti Haradinaj, kemi kundërshtuar edhe ne deputetët dhe në ditët në vazhdim, Hoti e ka të qartë se nuk mund të vazhdojë më këtë praktikë të dialogimit pa konsultime me partnerët e koalicionit, besa-besa edhe opozitës”, tha Kadrijaj.

Mospajtime javën që lamë pas ka pasur edhe për emërimin e Skënder Hysenit si Koordinator shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë nga kryeministri Hoti.

Bilall Sherifi, sekretar i përgjithshëm i partisë Nisma Socialdemokrate e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se mospajtimet e partisë aktualisht me kryeministrin Hoti janë vetëm për atë se si ka nisur dialogu me Serbinë.

“Nisma shpreh brengën që nëse fillohet të diskutohet për tema të veçanta, procesi mund të zgjas në pakufi dhe mund të rrëshqas drejt një dialogu teknik të cilin e kemi pasur”, tha ai.

Sherifi mendon se koalicioni për tema të tjera nuk ka mosmarrëveshje dhe siç thekson ai, punët po kryhen.

“Temat e tjera po vazhdojnë, ato janë përditshmëri, herë ka çështje të cilat pajtohemi, e herë ka çështje me të cilat nuk pajtohemi. Por, në qeveri vendimet merren me shumicë votash dhe çështjet ecin përpara. Nuk mendoj se për çështje të tjera ka ndonjë dallim të madh në qeverisje”, u shpreh Sherifi.

Kryeministri, të shtunën para medieve tha se koalicioni qeverisës është stabil dhe se siç u shpreh ai, qeveria, institucionet dhe drejtuesit e tyre janë duke kryer punët që u takojnë.

“Qeveria është stabile dhe në bazë marrëveshjeve të koalicionit që kemi po vazhdojmë të kryejmë punë tonë. Kuvendi po kryen punën e vet, presidenca po kryen punën e vet. Po vazhdon puna jonë normalisht dhe nuk ka asnjë ndryshim në situatën dhe aranzhimet politike”, tha Hoti.

Politologu Ramush Tahiri mendon se qeveria Hoti është një qeveri e cila ka një koalicion të breshti.

Ai thotë se funksionimi apo qëndrimi i qeverisë varet nga votat e secilit partner të koalicionit. Sipas tij, kur është ndarë numri i ministrive për partitë e koalicionit, janë bërë kompromiset dhe ato kompromise po dalin tash në shprehje.

“Kjo qeveri duket se nuk ka stabilitet dhe kjo qeveri duket që ka hyrë në spiralen e largimit, për atë arsye si partner shumë i rëndësishëm është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe nëse ajo nuk pajtohet me kryeministrin, kryeministri nuk ka arsye të vazhdojë më tej sepse nuk vazhdohet duke u kundërshtuar me partnerët e koalicionit. Zgjidhja është ose zgjedhje të reja ose hyrja e Partisë Demokratike të Kosovës në koalicion e cila do t’i kompensonte votat dhe do të siguronte shumicën parlamentare”, tha Tahiri.

Analistët thonë se qeveria aktuale, po shihet e pafuqishme të përballet me dialogun me Serbinë.

Partnerët e koalicionit të Qeverisë Hoti, AAK dhe Nisma Socialdemokrate kanë kërkuar që edhe Partia Demokratike e Kosovës të përfshihet në Qeverinë Hoti.

Zyrtarët e PDK-së ia kanë bërë me dije Hotit se nuk e ka mbështetjen e PDK-së për dialogun, përderisa nuk udhëhiqet nga SHBA-ja.

Ditë më parë, ish-kryeminsitri, Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka paralajmëruar se do t’ia shkëputë mbështetjen kryeministrit Hoti, nese ai vazhdon dialogun politik me Serbinë në formën se si ka nisur, kurse Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate, ka thënë se qeveria ka nevojë për PDK-në.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha të dielën përmes një postimi në Facebook se ka biseduar me Koordinatorin Shtetëror për dialog, Skender Hyseni rreth procesit të dialogut me Serbinë.

Mustafa tha se dialogu është krejtësisht politik dhe rezulton me marrëveshje politike ndërshtetërore për njohje reciproke.

“Sot kisha një bisedë telefonike me z. Skender Hyseni, Koordinator Shtetëror për dialog. Shpreha përkrahjen time dhe të LDK-së për kursin se nuk ka asnjë marrëveshje të veçantë, jashtë marrëveshjes gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke”, tha ai.

Mustafa theksoi se për këtë proces duhet të ketë bashkëpunim ndërinstitucional dhe të të gjithë akterëve politikë.

“Në këtë proces duhet dhënë përkrahje të fuqishme Kryeministrit Hoti, Qeverisë, Presidentit si dhe të gjithë mekanizmave shtetëror që e çojnë përpara këtë dialog politik. Përgjegjësia për dialogun bie mbi koalicionin qeverisës, ndërkaq pronësia e dialogut i takon shumicës kushtetuese parlamentare dhe asnjë subjekti veç e veç”, tha Mustafa.