“Janë tri masa që duhet detyrimisht t’i zbatojmë të gjithë: mbajtja e maskës, e distancës dhe higjienës personale. Nuk ka udhëzime të tjera që duhet të rekomandoj për qytetarët. Do të jemi në terren, në rrugë, lagje e gjithkund, në çdo institucion, biznes për t’u siguruar që të zbatohen me rigorozitet të gjitha masat që i kemi ndërmarrë”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në një konferencë për media, pas takimit që mbajti sot me Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me koronavirus.
Fjala e plotë e kryeministrit Hoti:
Mirëdita të gjithëve!
Ne ishim në disa konsultime paraprake, mandej në mbledhjen e Komitetit dhe prapë në një konsultim tjetër me ministrin, me drejtorin e Shërbimit Spitalor, me drejtorin e Institutit, me doktor Lulin dhe me zyrtarë të tjerë që janë përgjegjës për situatën.
Në bëmë një vlerësim të përgjithshëm të situatës në të cilën jemi sa i përket COVID 19. Ju e keni parë rritjen e numrit të rasteve gjatë ditëve të fundit, ne po mundohemi që të koordinojmë të gjitha aktivitetet e institucioneve të ndryshme në nivel vendi për ta menaxhuar këtë situatë.
Kemi humbur tre anëtarë të stafit shëndetësor, tre mjekë, dhe me këtë rast dëshiroj të shpreh ngushëllime për familjet e tyre, për miqtë, për të gjithë stafin shëndetësor dhe gjithashtu t’u shpreh ngushëllime të gjitha familjeve që deri më tash kanë humbur të afërmit e tyre nga kjo pandemi nëpër të cilën po kalojmë ne si shoqëri dhe po kalon mbarë bota.
Pas vlerësimeve që bëmë së bashku në nivel Komiteti dhe tani në këtë grup që jemi këtu para jush, vlerësimet e përgjithshme janë këto, që tri instrumentet e vetme që ne na mundësojnë që ta menaxhojmë situatën janë mbajtja e detyrueshme e maskës, mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës personale.
Nga ekspertët me renome botërore, nga ekspertët tanë vendorë, kur thjeshtësohen të gjitha çështjet, dalim te këto tri masa bazike, të cilat duhet t’i respektojmë detyrimisht. Vetëm këto tri masa e ruajnë jetën e qytetarëve, derisa nuk e kemi në dispozicion vaksinën për të trajtuar këtë pandemi.
Prandaj, në këtë drejtim inspektorati dhe policia duhet të bëjnë punën e tyre. E kemi fuqizuar inspektoratin edhe me staf shtesë dhe me riorganizim inspektorati në nivel vendi, për t’u dhënë të gjitha kompetencat e nevojshme për ta zbatuar ligjin dhe vendimet e Qeverisë për mbajtjen e maskës në mënyrë të detyrueshme, mbajtjen e distancës dhe sigurisht kulturën tonë të përgjithshme për higjienën personale.
Jemi të shqetësuar për mosrespektimin e masave në disa raste dhe mosangazhimin e nevojshëm të inspektoratit dhe të policisë në këto raste konkrete.
Kemi pasur gjatë ditëve të fundit aktivitete sportive në masë pa leje dhe pa i respektuar masat që i ka vendosur Instituti dhe Qeveria. Ka pasur edhe protesta midis Prishtinës, pa leje të policisë dhe duke mos i respektuar masat. Kjo nuk është e tolerueshme dhe nuk do të tolerohet, ndërsa personat përgjegjës në zinxhirin komandues komplet, të institucioneve përkatëse, duhet të marrin përgjegjësinë për mosrespektimin e vendimeve të Qeverisë.
Kjo është jetike për ta menaxhuar situatën, ndërkohë që ne po bëjmë të pamundurën brenda Shërbimit spitalor për të krijuar kapacitete shtesë, për të parandaluar situatën, kur nuk kemi ku t’i shtrijmë njerëzit që kërkojnë të shtrihen në spital.
Ndërkohë që po flasim, janë rreth 570 qytetarë të shtrirë në Qendrën Klinike dhe nëpër spitalet regjionale, ndërsa ne kemi rreth 700 shtretër, nuk kemi më shumë. E, tash duhet të mendojmë për riorganizim komplet të QKUK-së për të mbyllur ndoshta disa prej klinikave dhe për t’i vënë në dispozicion të menaxhimit të kësaj situate, ndërkohë që po punojmë edhe me spitale private, në mënyrë që të krijohen kapacitete shtesë. E kemi riorganizuar komplet stafin shëndetësor në nivel vendi për ta vënë në dispozicion të menaxhimit të situatës.
Kemi punuar mjaft, ministri ka punuar shumë gjatë këtyre ditëve që të krijohen kapacitete shtesë të testimit, besoj që është çështje ditësh, javësh kur ne do të kemi disa aparatura shtesë, disa të dhuruara nga donatorët ndërkombëtarë, edhe porositë tona që kemi filluar për shtatë aparatura shtesë, në mënyrë që ne ta dyfishojmë-trefishojmë numrin e testimeve që duhen bërë për t’i identifikuar personat e infektuar.
Po shkojmë përpara me një dinamikë të kënaqshme do të thosha, porositë që i kemi bërë edhe për teste virologjike edhe për vaksinat për gripin sezonal, edhe për vaksinën për Covid 19, bashkë me Komisionin Evropian, edhe për terapitë për personat e infektuar dhe jemi duke punuar që të krijojmë bazën e nevojshme ligjore, në mënyrë që të përdoret terapia që rekomandohet nga Komisioni Evropian, edhe për pajisjet mbrojtëse për stafin shëndetësor. Po punohet për koordinim shumë të mirë të donacioneve të ndryshme që po vijnë nga vende të ndryshme. Ka filluar Instituti që të punojë, që të udhëzojë Ministrinë e Arsimit për përgatitjet e nevojshme që duhen bërë nga shtatori e tutje, kur duhet të fillojë viti i ri akademik.
Pra, këto janë veprimet që i kemi bërë deri më tash, por, për ta thjeshtësuar komplet çështjen, janë tri masat që duhet detyrimisht t’i zbatojmë të gjithë: janë mbajtja e maskës, e distancës dhe higjienës personale. Nuk ka udhëzime të tjera që duhet të rekomandoj për qytetarët, do të jemi në terren, në rrugë, lagje e gjithkund, në çdo institucion, biznes për t’u siguruar që të zbatohen me rigorozitet të gjitha masat që i kemi ndërmarrë. Unë nuk do të hezitoj asnjëherë që në përputhje me rekomandimet e personelit dhe ekspertëve shëndetësorë të marrim masat më ekstreme që është e nevojshme për të ruajtur jetën e qytetarëve. Ju garantoj që çdo vendim do të bazohet vetëm në rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë.