16 infermierë dhe 4 mjekë të infektuar me koronavirus në Mitrovicë, mbi 100 raste aktive

Në Komunën e Mitrovicës janë 106 raste aktive me koronavirus, prej tyre 20 janë të shtrirë në Spitalin për COVID-19 në Vushtrri.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Mitrovicë, Erseka Hasanaj ka thënë për Gazetën Sinjali se deri më tani janë shëruar 187 persona nga virusi COVID-19.

“Janë 187 raste të shëruara dhe 106 raste aktive me koronavirus në Komunën e Mitrovicës. Në Spitalin e Vushtrrisë janë të shtrirë rreth 20 persona, prej tyre 9 janë prej komunës së Mitrovicës”, ka thënë Hasanaj.

Ajo tutje ka shtuar se në këtë komunë janë infektuar me koronavirus 16 infermierë dhe 4 mjekë.

“Deri më tani në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare i kemi 5 raste, prej tyre janë 2 mjekë dhe 3 infermierë. Në Spital janë 2 mjekë dhe 13 infermierë që janë duke u trajtuar”.

Gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar 213 persona të infektuar me koronavirus në Kosovë.