Qeveria Hoti ua heq 30 eurot pensionistëve që i morën 3 muaj radhazi

Në vend të 120 eurove, sa merrnin përfituesit e skemës së pensioneve nga muaji mars me vendim të Qeverisë Kurti, pensionistët sot në llogaritë e tyre kanë gjetur vetëm nga 90 euro, sikur para pandemisë.

Kurti dhe ministri i tij i Financave Besnik Bislimi kishin thënë se do të shqyrtonin mundësinë që shtesa prej 30 eurosh t’u vazhdohet pensionistëve, por tani që vendi ka Qeverinë e re duket se kjo nuk është parë e arsyeshme të ndodhë.

Qeveria Kurti kishte marrë vendim për pensionet në muajin mars kur pandemia morri i hov në Kosovë. Një lehtësirë tjetër ishte që pensionistët nuk duhej të shfaqeshin fizikisht në qendrat përkatëse për vazhdimin e pensionit.

Por, cilat kategori të pensionistëve përfitonin në bazë të vendimit të Qeverisë Kurti

Më poshtë mund ta lexoni pjesën e vendimit për pensionet.

“Një numër i madh i përfituesve të skemave pensionale, përfitojnë në baza mujore më pak se 100 euro. Për të gjithë këta përfitues, qeveria e Republikës së Kosovës, në 3 muajt në vijim do të ndaj 30 euro shtesë në baza mujore. Në këtë grup hyjnë kryesisht përfituesit e skemës së pensioneve bazike, pensionet për persona me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e pensioneve familjare (të gjitha këto kategori përfitojnë nga ky vendim, vetëm nëse nuk janë njëkohësisht pjesë e më shumë se një skeme pensionale nga e cila marrin të hyra të rregullta). Po ashtu do të përfshihen përkohësisht në skema dhe do të përfitojnë të gjithë ata të cilët nuk kanë arritur të rinovojnë pretendimet e tyre në dy muajt e parë të vitit 2020. Kjo nënkupton në total 13 milionë euro shtesë”.