Nga 600 teste serologjike në Prishtinë, 13% pozitive me koronavirus

Varësisht se cilat kategori të pacientëve testohen, rezultatet e testeve serologjike për koronavirus mund të dallojnë.

12 deri në 13 për qind e të testuarve me këtë metodë në kryeqytet kanë dalë pozitivë. Ndërsa janë testuar rreth 600 persona.

Sipas një raporti të OBSH-së, studimet e deritashme me këto lloje të testeve tregojnë për shtrirje të infeksionit nën 10 për qind, raporton KOHA.

Zyrtarja për emergjenca e OBSH-së në Kosovë, Isme Hymolli, ka thënë se në shumë shtete të cilat kanë bërë teste serologjike shkalla e pozitivitetit të tyre ka qenë prej 2 deri në 3 për qind. Por, sipas saj, kjo nuk do të thotë që në Kosovë duhet të kemi këtë përqindje, pasi shton se virusi në vend është shumë i shpërndarë.

Megjithëkëtë, ajo ka thënë se rezultatet e testeve serologjike duhet të interpretohen nga specialistë, duhet të ketë metodologji të testimit, si dhe të dallohen kategoritë e personave që janë testuar.

Mirëpo, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka thënë se ende nuk kanë ndarje dhe statistika se sa prej të testuarve kanë qenë të shëruar nga COVID-19 dhe sa kanë qenë pacientë që nuk janë testuar më herët. Këto të dhëna ai ka thënë se do t’i publikojnë më vonë.

Testet serologjike bëhen në gjak dhe zbulojnë antitrupat që luftojnë COVID-19. Ndërsa OBSH-ja, për diagnostikim të koronavirusit, rekomandon vetëm testet laboratorike të njohura si PCR.