154 zyrtarë policor të prekur nga koronavirusi: Një i vdekur dhe 77 të shëruar

Numri i rasteve me koronavirus në Kosovë po shënon rritje të konsiderueshme në muajin e fundit, ku shumë qytetarë, punëtor të institucioneve dhe biznese private janë prekur nga COVID-19.

Policia e Kosovës referuar situatës dhe rrethanave të krijuara që nga paraqitja e pandemisë ka qenë e angazhuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, të bazuara në vendimet e institucioneve të Kosovës dhe planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër Coronavirus-it COVID-19.

Që nga paraqitja e pandemisë e deri më sot, 154 zyrtarë policor kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, prej tyre janë shëruar 77 zyrtar policor, ende aktiv në trajtim janë 76 zyrtar policor, ndërsa fatkeqësisht zyrtari policor Ilir Gjokaj, i lindur në vitin 1981 në Gjakovë, mbrëmë në orët e vona (16.07.2020) ka ndërruar jetë.

Gjokaj i cili ka qenë duke shërbyer në Stacionin Policor në Gjakovë, nga data 07.07.2020 është lajmëruar në pushim mjekësor për shkak të problemeve më bosht kurrizor, kurse nga data 11.07.2020 është hospitalizuar në repartin pulmologjik për shkak të problemeve me frymëmarrje. Pas testeve të kryera, me datë 14.07.2020 kishte rezultuar pozitiv në Covid 19, ndërsa me datë 15.07.2020 është transferuar për trajtim mjekësor në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka shprehur ngushëllimet për familjen Gjokaj për humbjen e djalit të tyre.