Vazhdon beteja me koronavirus, në Kosovë mbi 2700 raste aktive

Për më shumë se katër muaj Kosova, është duke u përballur me pandeminë COVID-19. Që nga 13 marsi kur u konfirmuan edhe rastet e para me koronavirus e deri më sot në Kosovë kanë rezultuar pozitiv 5,369 persona nga 29,546 sa janë testuar gjithsejtë.

Aktualisht raste aktive me koronavirus në vend janë 2706.

Nga ky virus janë shënuar edhe vdekje, ku numri i tyre javëve të fundit ka pasur rritje. Deri më tash kanë humbur jetën 118 pacientë.

Por pavarësisht numrit të lartë të të infektuarve dhe atyre që kanë humbur jetën, një gjë pozitive është edhe numri i lartë i të shëruarave nga COVID-19, shkruan Telegrafi.

Deri më sot kanë arritur ta fitojnë betejën me këtë virus 2,545 persona.

Gjatë ditës së djeshme sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike nga 486 mostrat e testuara me datën 15 korrik 2020, pozitiv kanë rezultuar 132 raste, kurse janë shëruar 83 pacientë.

IKSHPK-ja u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit, që të bartin maskat dhe të respektojnë masat e tjera kundër COVID-19 në mënyrë strikte, pasi që konsideron se rreziku nga përhapja e pandemisë është ende i madh. IKSHPK vlerëson se çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.

“Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve”, thuhet ndër të tjerash në apelin e IKSHPK-së.