Situatë e rënduar në Prishtinë: 1192 raste aktive dhe 21 të vdekur nga koronavirusi

Prishtina është qyteti me më së shumti raste aktive me koronavirus në Kosovë. 1 mijë e 192 persona në kryeqytet po përballen me COVID-19. Që nga fillimi i pandemisë, në Prishtinë janë shënuar 1 mijë e 629 raste.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka shkruar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, se përhapja e shpejtë e virusit dhe numri i rasteve të reja me koronavirus, është shqetësuese.

Gashi ka bërë të ditur se nga 20 marsi, në Prishtinë janë shënuar gjithsej 1 mijë e 629 raste pozitive me koronavirus, nga të cilat 1mijë e 192 janë ende aktive, 416 persona janë shëruar, ndërkaq 21 kanë vdekur.

Gashi ka apeluar te qytetarët që t’’i përfillin masat për mbrojtje nga koronavirusi.

Njoftimi i plotë i Gashit:

Qytetarë të nderuar,

Përhapja e shpejtë e virusit dhe numri i shtuar i rasteve të reja me #covid19 janë vazhdimisht në rritje dhe kjo është shqetësuese!

Bazuar në të dhënat e marra nga IKShP dhe raportin e konsoliduar nga Shtabi Emergjent në Prishtinë del se momentalisht, që nga data 20 Mars deri sot kemi 1629 raste me #covid19 prej të cilave 1192 raste janë ende aktive. Kemi 416 raste të shëruara dhe zyrtarisht të konfirmuara 21 raste që kanë përfunduar me fatalitet.

Mbajtja e maskës është një prej tri rregullave kryesore dhe masave mbrojëse për parandalimin e përhapjes së virusit dhe rëndimin e situatës edhe më shumë.

Të gjithë e kemi obligim që të ruajmë veten dhe të tjerët rreth nesh e të jemi të ndërgjegjshëm.

Sepse vetëm #bashkë mund të e tejkalojmë këtë sfidë!

Vazhdoni t’i mbani maskat, dezinfektoni duart dhe mbani distancë!

#prishtina 💙

#shpiPRkrejt 🏡.