Qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti ka vendosur të akomodojë në pozita sekretarësh vetëm njerëz të afërt me partitë e koalicionit. Ajo jashtëligjshëm është duke i mbajtur si ushtrues detyre 14 sekretarë e drejtorë agjencish, ndërsa ka shpallur konkurs për pozita sekretarësh të rinj pa i akomoduar ata që ndodhen në listën tepricë, e të cilët marrin pagat mbi 1 mijë euro pa bërë ndonjë punë.
Rasti i Ministrisë së Arsimit e demonstron qasjen partiake të qeverisë së re.
Për katër muaj kjo ministri ka paguar tre persona për pozitën e sekretarit të përgjithshëm.
Meqë në shkurt të këtij viti Qeveria e Albin Kurtit kishte vendosur që ta tkurrte numrin e ministrive, me ç’rast ajo e Arsimit dhe e Inovacionit ishin bërë bashkë, sekretarët e të dyjave kishin kaluar në lista tepricë, me zotimin për t’u sistemuar në pozita ekuivalente.