Dita e tretë e intervistimit të Presidentit Thaçi në Hagë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot do të vazhdojë ditën e tretë të intervistimit të tij nga ana e Prokurorisë Speciale në Hagë.

Thaçi i cili të hënën udhëtoi drejt Hagës, është intervistuar për dy ditë radhazi.

Intervistimi i tij në dy ditët e mëparshme ka zgjatur rreth 6 orë. Pas intervistimit të djeshëm, Thaçi nuk është prononcuar para mediave.

Përpara se të hynte të hënën në objektin e Prokurorisë Speciale për intervistim, Thaçi deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.