Tregu i BE-së mundësi me mish vendor e jo me importe nga Brazili

Lajmi për përfshirjen e Kosovës në listën e vendeve të treta, me të drejtë eksporti të produkteve ushqimore me origjinë shtazore në vendet e Bashkimit Evropian, i ka entuziazmuar kompanitë e përpunimit të mishit në vend.

Pronarë të kompanive vendore të këtij sektori e kanë cilësuar këtë një lajm shumë të mirë për ta, por edhe për ekonominë vendore në përgjithësi.

Eksperti ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka thënë për Kosova.info se ky lajm “duhet të mirëpritet pa eufori”. Sipas tij raporti import – eksport ka qenë në disproporcion deri më tani për vendin.

“Një ndër indikatorët më të rëndësishëm ekonomik për një shtet padyshim është rritja e eksportit. Për fat të keq Kosova në këtë drejtim ka arsye për shqetësim, sepse raporti eksport – import është shqetësues” – ka theksuar ai.

Ai ka vënë në dukje faktin se vendi ynë “importon me shumë se 90%, a eksporton vetëm 10%, që nënkupton se Kosova eksporton para te gatshme.”

Megjithatë sipas tij: “Lajmi për mundësinë e lejimit të eksportit të produkteve me origjinë shtazore në EU duhet të mirëpritet, por pa eufori. Internacionalizmi i ekonomisë vendore është prioritet dhe duhet të bëhet më shumë punë në drejtim certifikimit, licencimit, standardizimit dhe akreditimit. Dora e shtetit duhet të jetë në mbështetje të kësaj industrie por në rend të parë duke rritur fondin e fermave te bagëtive në vendin tonë përmes granateve dhe subvencioneve si dhe të kontrollohet importi. Nuk mund të promovohen produktet e mishit “Made in Kosova ” me mish të importuar nga Brazili apo, vendeve të tjera dhe sidomos nuk mund të arrihet standardi Hallall me këtë mish të importuar”.

Për më tepër, sipas tij,  duhet mbështetur prodhuesit vendor e në veçanti fermerët duke mundësuar promovim të këtyre produkteve kudo në Evropë. “Nuk duhet të kuptohet tregu Evropian vetëm aty ku është diaspora e jonë, është treg shumë i gjerë dhe ka shumë mundësi të tjera. Prandaj duhet të përgatitemi për këtë mundësi, por me kualitet dhe plotësim të standardeve të kërkuara në nivel evropian”.