Numri i rasteve aktive me koronavirus, më i madh sesa ai të shëruarve

Në Kosovë të enjten janë konfirmuar edhe 207 raste të reja me koronavirus, duke e çuar kështu mbi 4300 numrin e përgjithshëm të të infektuarve nga 13 marsi kur edhe u konfirmuan rastet e para.

Nga ky numër, 2095 janë shëruar, kurse 94 të tjerë kanë vdekur.

Kështu, numri i rasteve aktive në vend është 2095. Komuna më e prekur nga ky virus është Prishtina, me gjithsej 1220 raste, 10 prej tyre kanë humbur betejën.

Pastaj vjen Komuna e Vushtrrisë, në të cilën deri më tani janë konfirmuar gjithsej 397 të infektuar, 7 prej të cilëve kanë ndërruar jetë.

Komuna e tretë për nga numri i rasteve pozitive, është Prizreni, e cila ka edhe 13 viktima, ndërsa ka 378 raste të konfirmuara pozitive.