Gojnovci jep detaje për foshnjën e parë me COVID-19 në Kosovë

Foshnja e parë me COVID-19 është regjistruar sot në Kosovë.

Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci ka thënë për RTV Dukagjinin se foshnja bashkë me nënën e saj janë shtruar në QKUK pas rekomandimit nga një klinikë private.

“Foshnja bashkë me nënën kanë ardhur para dy dite pasi kishin temperaturë të lartë. Rasti është referuar nga një ordinancë private”, tha ai.

Ai thotë se pas testeve është konfirmuar se foshnja dhe nëna janë të prekura me coronavirus.

“Është rasti i parë që një foshnje është konfirmuar me coronavirus në Kosovë derisa kemi pasur rreth gjashtë shtatzëna që janë konfirmuar pozitiv në COVID-19”.

Gojnovci thotë se nëna dhe foshnja në bazë të ekzaminimeve janë në përmirësim e sipër.

Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, thotë se teste do t’iu bëhet vetëm shtatzënave që kanë simptoma ashtu siç janë edhe rekomandimet e IKSHPK-së.

Gojovci thotë se qytetarët duhet t’iu përmbahen rregullave pasi sipas tij virusi nuk po kursen edhe foshnjat e sapolindura.