Kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë që është e nevojshme që të rritet vetëdija e qytetarëve për seriozitetin e situatës me pandeminë.
“Duket se ka nevojë shumë më tepër që të rritet vetëdija e qytetarëve sa i përket seriozitetit të situatës. Ka raste kur qytetarët kanë rezultuar pozitivë nuk kanë qëndruar të izoluar”, tha Hoti pas mbledhjes së Komitetit për Menaxhim të Situatës me COVID-19
“Jemi duke përcjellë gjendjen në çdo komunë dhe duke marrë veprimet adekuate në përputhje me situatën. Kanë filluar punën spitalet rajonale, për të krijuar kapacitetet shtesë me shtretër dhe pajisje përcjellëse dhe riorganizimin e komplet të kapaciteteve njerëzore, për klinikat ku ka më së shumti nevojë për t’u përballur me këtë situatë”.
“Janë aktivizuar shtabet lokale plotësisht. Është bërë plani i organizimit të Policisë për t’u dalë në ndihmë komunave. Ajo që është me interes është që do të kërkojmë të zbatohet është funksionalizimi i shtabeve të fshatrave”.
“Kemi shtuar kapacitetet e inspektimit dhe rezultatet e para kemi parë. Janë shqiptuar edhe gjoba për subjektet që s’kanë përfillur vendimet e Qeverisë”.
Hoti tha se po mendojnë që të bëjnë testimin e një mostre në nivel vendi, për të pasur pasqyrë më të qartë të shkallës së infektimit në nivel vendi.