Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka vizituar Zonën Ekonomike në Qylagë të Lipjanit, për të parë se si janë duke u zhvilluar punimet.
Ministri Krasniqi tha se zona të tilla janë shumë të rëndësishme për ekonominë e vendin, ku investimet në këtë projekt kapin vlerën prej 2.3 milionë eurosh, e që përfshin një sipërfaqe prej 25 hektarësh.
“Ne, sot kemi ardhur në Zonën Ekonomike, këtu në Qylagë të Lipjanit, për të parë nga afër punimet e kësaj zone se deri në cilën fazë kanë arritur këto punime. Duke pasur parasysh situatën e shkaktuar nga pandemia, megjithatë operatori ekonomik u zotua se do t’i kryejë punimet sipas planit dinamik të paraparë në kushtet e kontratës, e që deri në fund të këtij viti do të kryhen të gjitha punët e parapara”, u shpreh ministri Krasniqi.
Po ashtu, ministri potencoi se faza e parë e këtij projekti përfshin 10 hektarë, në vlerë prej 560 mijë eurosh, në bashkëfinancim edhe me Komunën e Lipjanit, e cila do të participojë me 50 mijë euro.
Sipas ministrit Vesel Krasniqi, deri në fund të këtij viti do të finalizohet një pjesë e këtij projekti.
Ndryshe, Zonën Ekonomike në Qylagë të Lipjanit, shtrihet në një pjesë mjaft strategjike të vendit, ku është vetëm 8 km larg nga Aeroportit “Adem Jashari” dhe vetëm 22 km nga Prishtina.
Ndërsa, pronari i kompanisë së kontraktuar për këtë projekt, Agim Morina, tha se punimet do të përfundojnë sipas planit.