Për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike dhe rritjes së numrit të infektuarve, shtabi i krizës i katër komunave në veri të Kosovës ka vendosur të martën mbrëma që të ndalohet lëvizja e qytetarëve nga ora 21:00 deri në pesë të mëngjesit.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë pas sugjerimit të profesionistëve, ndërsa të drejtën e lëvizjes do ta kenë vetëm përgjegjësit për luftë ndaj pandemisë dhe përgjegjësit për rend e siguri.
Këtë të martën në një konferencë për shtyp në Mitrovicën veriore, e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq. Sipas Rakiqit të martën kanë ardhur rezultatet e testimeve që kanë bërë të ditur se 53 persona janë me koronavirus. Janë testuar 61 mostra. Të mërkurën do të dihet për 62 persona të tjerë. Pos Mitrovicës veriore masat i kanë forcuar edhe Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.
“Po ashtu në këtë periudhë ndalohet hyrja dhe dalja nga territori i katër komunave në veri, pos për personat me leje të posaçme. I ftojmë qytetarët në sjellje të përgjegjshme, që të mbajnë maska, të ruajnë distancën fizike dhe të mbajnë higjienën personale”, ka thënë Rakiq.
Për periudhën pas një jave, Rakiq ka thënë se do të vendoset në bazë të zhvillimeve me situatën epidemiologjike.
“Ndalimi i hyrjes dhe daljes nga komunat në veri të Kosovës do të thotë se është marrë masa e karantinës për qytetarët në javën e ardhshme”, ka sqaruar Rakiq, raporton “kosovo-online.com”.
Vendimi ka hyrë në fuqi të martën mbrëma.
Më herët të martën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka theksuar se komunat në veri të Kosovë, që janë të banuara me shumicë serbe, do të forcojnë masat në përputhje me masat e Qeverisë së Serbisë.