Hoti: Në qytetet me numër të madh të të infektuarve do të kufizohet lëvizja nga 21:00-05:00

Pas rritjes së numrit të rasteve me Covid-19 në vend, Kryeministri Avdullah Hoti ka zhvilluar një takim me drejtuesit e institucioneve shëndetësore.

Në një konferencë për media, Hoti ka njoftuar se në qytetet me numër të madh të të infektuarve me Covid-19, do të kufizohet lëvizja e qytetarëve nga ora 21:00 deri në 05:00.

Sipas Hotit, qytetet që kanë numrin më të madh të të infektuarve janë: Prishtina, Prizreni, Ferizaj dhe Vushtrria.


“Në qytetet ku ka numër te madh do të kufizohet plotësisht lëvizja. Nga Sonte në Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Vushtrri. Do te kufizojmë plotësisht lëvizjen nga ora 21 deri në orën 5 në mëngjes. Do të përcjellim pastaj lëvizjet e numrave me infektime”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se gjithashtu do të reduktohen punëtoret e institucioneve, dhe do të punohet vetëm me staf esencial. Sipas rregullores Hoti ka thënë se do të përcaktohet se çfarë do të nënkuptohet me staf esencial.

Ai gjithashtu ka thënë se edhe në institucionet shëndetësore do të reduktohen shërbimet jo-esenciale. 

“Do të reduktojmë numrin e të punësuarve në institucione vetëm në staf të domosdoshëm. Në institucione shëndetësore, do të reduktohen të gjitha shërbimet që janë jo-esecenciale që presin”, ka thënë Hoti. 

Ai gjithashtu ka treguar se do t’i takojë kryetarët e komunave, që të krijojnë shtabet. 

Sa i përket funksionimit të gastronomisë dhe restoranteve, Hoti ka thënë se nga sonte të gjitha lokalet e gastronomisë do të jenë të mbyllura nda ora 21:00 deri në orën 5 të mëngjesit. 

Ndërkohë ka theksuar se gjatë kohës që do të lejohet puna, do të lejohet vetëm shërbimi në hapësira të hapura dhe take away.

“Sa i përket bizneseve. Mbyllen të gjitha lokalet e gastronomisë nga ora 21 deri në orën 5 të mëngjesit. 

Lejohet puna vetëm në hapësira të hapura dhe take away”, ka thënë Hoti. 

Gjithashtu ka treguar se edhe numri i njerëzve që do të shfrytëzojnë trafikun urban do të përgjysmohet.

“Numri i njerëzve që shfrytëzojnë një autobus publik përgjysmohet”, ka thënë Hoti.