Një numër i shtuar i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është vërejtur sot pranë Klinikës Infektive në QKUK, me ç’rast janë bllokuar edhe hyrjet për në këtë klinikë.
Ekipet e Mjekësisë Ligjore janë parë pranë Klinikës Infektive duke bartur katër kufoma në raste të ndara.
Klan Kosova përmes një burimi mëson se ka dyshime për mosfunksionim të sistemit të oksigjenit që i furnizon respiratorët.
Sipas këtij burimi, zyrtarë nga QKUK e kanë ftuar Policinë për të hetuar nëse kjo është arsyeja e rritjes së numrit të rasteve të vdekjes me Covid-19.
Kujtojmë se vetëm të shtunën , Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se janë regjistruar 178 raste të reja me Covid-19. Po ashtu gjatë ditës së djeshme kanë ndërruar jetë 8 persona të prekur nga ky virus.