Rënia ekonomike në vend si pasojë e pandemisë llogaritet të jetë minus 5.9 për qind, kjo sipas vlerësimeve të FMN-së. E kjo shifër mund të rritet nëse nuk ndërmerren masat në implementimin e pakos së rimëkëmbjes.
Kështu ka paralajmëruar Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti. Ai ka ka thënë se rënia ekonomike mund të shkojë deri në minus 11 për qind, mirëpo sipas tij, kjo varet sa do të ketë vonesa në zbatimin e planit emergjent.
“Çdo ditë vonesë në injektimin e fondeve në ekonomi, ndikon negativisht në rritje ekonomike. Ne pas një periudhe një mujore kemi bërë stertestin e ri dhe kemi ardhur në përfundim se rënia ekonomike në Kosovë është minus 5.9 për qind nga minus 2 për qind. Në vendet e eurozonës sipas vlerësimit të Bankës Qendrore Evropiane, rënia ekonomike mund të jetë minus 7.5 për qind, ndërkaq vlerësimet e FMN-së për Kosovë që do të jetë 11 për qind, mirëpo krejt kjo varet sa do të kemi vonesa me qellim të aprovimit të zbatimit të planit emergjent dhe më pastaj të kalohet edhe te plani i rimëkëmbjes”, thotë ai.
Mehmeti po ashtu tha se plan për rimëkëmbje pa rishikim të buxhetit nuk do të ketë, e që sipas tij, nuk do të ketë mundësi që të paguhen pagat e planifikuara për pjesën e Pakos Emergjente.
“Plani i rimëkëmbjes pa rishikim të buxhetit nuk do të ketë më mundësi që të paguhen pagat të cilat janë të planifikuara të paguhen për pjesën e pakos emergjente, prandaj unë besoj se sa më shpejt që aprovohet ky rishikim i buxhetit dhe sa më shpejt aprovohet plani i rimëkëmbjes, është më mirë për ekonominë e vendit dhe do të ndikojë që të ndalet rënia ekonomike dhe do të ketë trende pozitive”.
“Aq më gjatë shkon kjo periudha e moszbatimit të pakos emergjente dhe fillimi i zbatimit të pakos e rimëkëmbjes, do të ndikojë negativisht në rënien ekonomike dhe me siguri se pasojat do të jenë shumë të mëdha”.
Sipas Guvernatorit, kjo situatë e pandemisë sektorin financiar në Kosovë e ka zënë në gjendje të mirë duke marrë shembull raportin e likuiditetit.
“Qysh në javën e parë kur është formuar Qeveria, kemi pasur takim me kryeministrin Hoti ku kanë marrë pjesë edhe Odat Ekonomike dhe përfaqësues tjerë të bizneseve dhe ministrat e dikastereve ekonomike, ku është prezantuar plani i rimëkëmbjes ekonomike, ku prej tyre janë dy masa që janë mënyrë direkte, e që kanë të bëjnë me nën masa e që lidhen edhe me Bankën Qendrore”, u shpreh ai.
Mehmeti thotë se mbi 99 për qind e kërkesave të bizneseve për shtyrje të kredive janë realizuar nga bankat në Kosovë, ndërkaq te personat fizik janë realizuar 86 për qind e kërkesave.
“Te lehtësimi i qasjes në financa, ku ne kemi qenë shumë proaktiv pasi që ka filluar pandemia dhe kemi marrë vendim në koordinim me shoqatën e bankave që të bëjmë shtyrjen e kësteve të kredive e që është kryer sipas vendimit të BQK-së. Mund të them sesi proces ka shkuar mirë, e di që ka ankesa por ajo çka është pozitive nëse i shohim të gjitha kërkesat për shtyrje të këstit të kredive që i përkasin një pjesë dërrmuese bizneseve, janë realizuar mbi 99 për qind, ndërkaq te personat fizik janë realizuar 86 për qind”, ka thënë ai për EO.
Sa i përket planit për rimëkëmbje ekonomike, Mehmeti ka apeluar që të adresohen sfidat të cilat në vazhdimësi i ka pasur Kosova.