Osmani shpreson se zgjedhjet do të mbahen shpejt: Duhet të kthehemi te populli

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani është shprehur se zgjedhjet në Kosovë duhet të mbahen sa më shpejt që është e mundur.

Ajo është shprehur se edhe dialogu Kosovë-Serbi është me rëndësi, por nuk ndikon direkt në jetën e qytetarëve (si zgjedhjet).

“Kur do të ketë zgjedhje? Të jem e sinqertë nuk e di. Shpresoj që kjo të bëhet së shpejti. Është me rëndësi zgjedhjet të mbahen, të kthehemi tek populli, të rilegjitimohemi sikur pozita ashtu edhe opozita. Mendoj gjithashtu se dialogu është me rëndësi, por nuk e përbën jetesën në Kosovë, papunësia dhe luftimi i korrupsionit janë me rëndësi jetike”, ka deklaruar kryeparlamentarja gjatë një bisede virtuale me Cédric Wermuth, që është nënkryetar i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës.

Osmani po ashtu ka folur edhe për të ardhmen e saj politike.

“Çka mund të them tani se do të jem rrotull dhe do të bëjë më të mirën për njerëzit. Në politikë është vështirë të parashihet e ardhmja politike. Por, një gjë është e sigurt – do të jem në anën e drejtë të historisë dhe do të jem bashkë me njerëzit që duan më të mirën për vendin dhe që mbajnë premtimet”, ka thënë Osmani.